Graf: Ju mbështesim, por mos prisni mrekullira nga Zvicra

Të gjitha programet që Zvicra po zbaton në Shqipëri luftojnë korrupsionin në një mënyrë a tjetër, ndërsa nga një perspektivë më afatgjatë, ato garantojnë një jetë më të mirë për komunitetin. Këtë fakt, ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Christoph Graf, nënvizoi gjatë një interviste për gazetën “Shqip”, njëherazi intervista e tij e parë për shtypin shqiptar.

“Dimensioni më i madh i marrëdhënieve tona me Shqipërinë është programi ekonomik, që përfshin strategjinë ekonomike me Shqipërinë për periudhën 2014-2017. Ambasada e Zvicrës po koordinon zbatimin e 25 projekteve bilaterale me Shqipërinë, sidomos në fushën e integrimit europian të vendit, me një vlerë prej 20 milionë eurosh për çdo vit”, theksoi Graf. Ambasadori nënvizoi se shqiptarët duhet të punojnë më shumë për t’i bërë gjërat realitet. “Nuk kemi një recetë të shpejtë për të pasur ndikim. Për të ndryshuar situatën në Shqipëri, ajo që Zvicra mund të bëjë është të mbështesë iniciativat që përshpejtojnë zhvillimin. Vërej shpesh se pritshmëritë janë të shumta ndaj Zvicrës. Janë autoritetet shqiptare që kanë nevojë të udhëheqin rrugën dhe të vendosin prioritetet. Ne mbështesim përpjekjet tuaja për procesin e përshpejtimit të zhvillimit”, tha ai.

Z. ambasador, si duket bilanci i marrëdhënieve dypalëshe në këtë fillimviti?

Mendoj se marrëdhëniet dypalëshe midis Zvicrës dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera. Mund të them se ato patën zhvillim gjatë vitit 2015. Në nivel politik patëm shkëmbime vizitash të një niveli të lartë, përfshirë vizitën e zv/sekretarit të Shtetit, Georges Martin, i cili midis të tjerave nënshkroi protokollin për ndryshimin e marrëveshjes për heqjen e taksës së dyfishtë. Gjithashtu, Beatrice Maser, drejtore në Sekretariatin e Shtetit për Çështje Ekonomike vizitoi Shqipërinë. Ajo nënshkroi një nga programet më të rëndësishme për rritjen e kapaciteteve të gazifikimit me Ministrinë e Financave dhe atë të Energjisë. Kjo marrëveshje merr rëndësi të madhe në kuadrin e projektit TAP. Edhe drejtuesja për bashkëpunim me Europën Lindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Elisabeth von Capeller, pati një vizitë në maj 2015. Kjo sa i takon aspektit politik të marrëdhënieve tona dypalëshe. Dimensioni më i madh i marrëdhënieve tona me Shqipërinë është programi ekonomik, i cili përfshin strategjinë ekonomike me Shqipërinë për periudhën 2014-2017. Ambasada e Zvicrës po koordinon zbatimin e 25 projekteve bilaterale me Shqipërinë, sidomos në fushën e integrimit europian të vendit me një vlerë prej 20 milionë eurosh për çdo vit. Mund të them se marrëdhënia ekonomike midis dy vendeve tona është e qëndrueshme. Janë rreth 30 kompani private zvicerane në Shqipëri, që operojnë në sektorë të ndryshëm. Për momentin nuk ka investime të reja zvicerane në vendin tuaj. Shpresojmë që ato të vijnë së shpejti dhe që shkëmbimet tona tregtare të rriten. Dua të nënvizoj edhe aktivitetet kulturore, të organizuara nga ambasada, sidomos koncertet e këngëtares Elina Duni, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Ballkan.

Ju përmendët se nuk është shënuar ndonjë investim i ri këtë vit nga Zvicra. Çfarë vështirësie ka pasur?

Ndoshta nuk u shpreha qartë. Ka pasur disa investime të reja, midis tyre një i rëndësishëm në fushën e turizmit, pikërisht në bregdet. Por mund të them se klima e biznesit ka nevojë të përmirësohet. Kjo është një këngë e vjetër tashmë, që ne të gjithë e dimë. Sundimi i ligjit nuk ka qenë në atë nivel që investitorët privatë do të donin të ishte. Gjithashtu, një nga vështirësitë në këtë drejtim ka të bëjë me çështjen e pronës, pasigurinë dhe patjetër korrupsionin. Por mbi të gjitha do të drejtoja gishtin te sistemi i drejtësisë. Edhe taksat në Shqipëri nuk është se janë më të ulëtat në rajon. Por ka edhe avantazhet e saj, si cilësia e forcës punëtore, aftësitë dhe kostot e ulëta, e të tjera. Pra, ka shpresë për investime. Do të thosha se dy vendet janë të prira të bashkëpunojnë në fushën e turizmit, përderisa ato kanë shumë male dhe turizmi malor është një atraksion.

Si po ndikojnë projektet e shumta që Zvicra po zbaton në Shqipëri te shoqëria, te njerëzit?

Në përgjithësi mendoj se po ndikojnë në mënyrë pozitive, sepse projektet e investimeve dhe bashkëpunimit zviceran kanë si qëllim përmirësimin e jetës së njerëzve. Një nga fushat kryesore të këtij bashkëpunimi është mbështetja ndaj reformës territoriale. Personalisht jam i bindur se ne duhet të investojmë më shumë në nivel lokal e bashkiak, por edhe të mbështesim më shumë iniciativat lokale, jo vetëm nga pikëpamja e qeverisë, edhe nga shoqëria civile. Në fund të fundit, kjo ka të bëjë me themelet e një demokracie.

Ne nuk kemi një recetë të shpejtë për të pasur ndikim. Për të ndryshuar situatën në Shqipëri, ajo që Zvicra mund të bëjë është të mbështesë iniciativat që përshpejtojnë zhvillimin. Vërej shpesh se pritshmëritë janë të shumta ndaj Zvicrës. Janë autoritetet shqiptare që kanë nevojë të udhëheqin rrugën dhe të vendosin prioritetet. Ne mbështesim përpjekjet tuaja për procesin e përshpejtimit të zhvillimit.

Cila është përshtypja e autoriteteve zvicerane ndaj rrugës që Shqipëria po ndjek për të arritur Europën? Si po e ndihmon Zvicra Shqipërinë në këtë aspekt?

Mendoj se referenca më e mirë për një gjë të tillë është progres-raporti i BE-së. Aty shikon prioritetet që janë të ndërlidhura, sfidat, por edhe padurimin për të shkuar drejt Europës, megjithëse ka ende shumë për të bërë. Mendoj se reforma e gjyqësorit është një ndërmarrje që sapo ka filluar. Të gjithë e dimë që kjo reformë ka nevojë të bëhet, por pyetja është: Si? Ajo do të jetë sidomos vendimtare për investimet e huaja. Gjithashtu, edhe sa i takon korrupsionit, mund të them se ballafaqimi dhe adresimi i tij është një detyrë shumë komplekse, sepse ka nevojë të adresohet nga shumë aspekte. Mendoj se baza është transparenca dhe përgjegjësia për të adresuar korrupsionin. Nga kjo pikë, mund të shihni bazat e shtetit, konkretisht tri fuqitë: legjislativi, ekzekutivi dhe sistemi i drejtësisë që duhet të funksionojnë të pavarura nga njëra-tjetra. Sipas mendimit tim, këto tri fuqi nuk po funksionojnë ende në mënyrë të pavarur. Mendoj se hapat kanë nisur, por ka ende rrugë për të bërë.

Vlerësimi juaj për protestat e opozitës, që duket se do t’i vazhdojë edhe gjatë këtij viti …

Mendoj se protestat janë efekti i pakënaqësisë së njerëzve, të cilët ndjekin parti të caktuara. Ajo që kam vënë re këtu është se shoqëria është shumë e orientuar nga partitë politike. Vërtet që nuk shihen shumë zëra të pavarur dhe një diversifikim. Një demokraci e shëndetshme ka nevojë për pluralizëm dhe diversitet. Shikoj shumë polarizim të politikës. Kuptohet që, në një perspektivë afatgjatë, kjo gjë do të ketë një peshë të rëndë për demokracinë. Si një zviceran, vij nga një vend ku fliten tri gjuhë të ndryshme, ku mbizotëron diversiteti dhe kulturat e ndryshme. Jo vetëm që ekziston harmonia midis grupeve të ndryshme në vendin tim, por ne merremi edhe me njerëz që mendojnë ndryshe dhe nevojitet që të gjejmë kompromise e konsensuse. Kështu mëson më shumë për mendimet opozitare. Duhet më shumë dialog, do të thosha, me qëllim ndërtimin e një demokracie të fortë. Në Shqipëri, vërej një sjellje të orientuar më shumë nga lideri. Mbase ka më shumë kuptim të shpërndash fuqinë me qëllim balancimin e personaliteteve dhe përfaqësuesve dhe kjo çon drejt kompromiseve dhe jo drejt përqasjes “lideri i merr të gjitha”.

A mund të përmendni një investim të rëndësishëm që Zvicra ka kryer në Shqipëri për të cilin ndihet krenare?

Mund të përmend asistencën teknike të Zvicrës në dizajnimin dhe përpilimin e hartës territoriale të Shqipërisë, në bazë të kritereve të kërkuara. Do të thosha se ky ishte një input shumë i rëndësishëm. Gjithashtu, do të përmendja kontributin tonë në drejtim të prodhimit të energjisë e sigurisë dhe diversifikimit të energjisë në kaskadën e lumit Drinit. Në përgjithësi, kemi ofruar ndihmë dhe investime për rehabilitimin, furnizimin dhe monitorimin e energjisë në Shqipëri prej disa vitesh tashmë. Së treti, mund të përmend bashkëpunimin prej 2-3 vitesh të Zvicrës me KFW për pastrimin e ujit, për ta bërë atë të pijshëm për popullatën e qyteteve të Shkodrës, Lezhës dhe Pogradecit. Ky është një projekt në vazhdim. E po ashtu, mund të përmend një program që e kemi nisur gjatë vitit 2015 në fushën e kujdesit shëndetësor në dy qytete, Dibër e Fier, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, program që po jep rezultate.

A ka përpjekje për ndonjë binjakëzim midis qyteteve të dy vendeve tona?

Në fakt jo. Do ta mirëprisja një gjë të tillë. Por mund të përmend një iniciativë të mirë që u mor në 2014-2015, kur kryebashkiakë e përfaqësues të stafeve administrative bashkiake u ftuan në Zvicër në kuadrin e shkëmbimeve midis dy vendeve tona. Ata u takuan me kolegë të tyre, kryebashkiakë dhe morën përvojë lidhur me shumë çështje, një nga të cilat, menaxhimi i mbetjeve të ngurta dhe toksike. Sa më shumë që tolerohet kjo çështje aq më e rrezikshme dhe i kushtueshëm bëhet procesi i eliminimit të tyre pas 10, 20 apo 30 vitesh. Tolerimi i mbetjeve të tilla në Shqipëri në vitet ‘70 ka bërë që eliminimi i tyre tani të bëhet më i vështirë dhe të kërkojë më shumë para. Pikërisht, një shkëmbim i tillë konkret i përvojave është shumë i dobishëm.

Cili është objektivi që keni për këtë vit në marrëdhëniet Shqipëri-Zvicër?

Pres një ndeshje interesante futbolli në qershor 2016 (qesh). Por, nga ana tjetër, një bashkëpunim më të afërt dypalësh. Uroj dhe shpresoj që Shqipëria të vazhdojë reformat që ka nisur drejt BE-së për t’i zbatuar ato. Kam edhe një mesazh: Mos prisni mrekullira! Është mirë të rimenaxhoni pritshmëritë tuaja, sepse iniciativat tona bazohen në vazhdimësi. Siç e theksova, ne punojmë me projekte që vazhdojnë për katër vite e tutje. Kështu, për vitin 2016 do të ketë projekte të reja në fushën e trajnimeve profesionale në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale, duke adresuar kështu edhe çështjen e papunësisë së të rinjve. Por mund të them se të gjitha këto janë iniciativa që shtrihen në një periudhë prej 10 vitesh. Dhe ato do të vazhdojnë. Prandaj është e rëndësishme të jemi të vendosur dhe sistematikë në punën tonë. Mendoj se është e rëndësishme që përpjekjet të jenë të qëndrueshme, me qëllim arritjen e objektivave.

Published by daily Shqip on Jan.15, 2016

Advertisements