Ambasadorja e BE-se: E verteta kontribuon ne ndryshim

Romana-Vlahutin-1-640x484

Në këtë fundvit, Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin, preferoi një intervistë ku të fliste për ato çka u përmbushën këtë vit dhe se ku do të përqendrohen forcat për vitin në vazhdim. Por nuk harruam të flisnim pak edhe për jetën e saj të përditshme. Midis të tjerash, Vlahutin komentoi edhe zhvillimin më të fundit, miratimin e të ashtuquajturit ligj për dekriminalizimin. “Është një zhvillim shumë i mirëpritur për Shqipërinë dhe qytetarët e saj dhe ne e përgëzojmë mënyrën bashkëpunuese me të cilën u arrit”, thekson Ambasadorja.

Vetëm më shumë se një vit në Shqipëri. E keni kapur thelbin e politikës shqiptare?

Mendoj se e kam kapur atë që po ndodh. Kam kuptuar se është një përzierje e shumë elementeve që janë shkaku i skenës aktuale politike. Por t’ju them të vërtetën, në njëfarë mënyre, jam më pak e interesuar se pse dhe si u bë kështu, ndonëse është me rëndësi për analizat dhe të kuptuarit. Por unë jam shumë më e interesuar për të ardhmen, se si të ndihmoj për të dalë nga kjo lloj mungese dialogu dhe retorike vërtet të panevojshme, drejt një kulture politike ku do të kuptohej fare mirë se cilat janë interesat kryesore kombëtare dhe të gjitha palët do të binin dakord se ato janë një, dy, tri përparësi kryesore për të cilat duhet të punojnë të gjithë.

Në demokraci, në zgjedhje ndonjëherë fiton dhe ndonjëherë humbet. Është gjithashtu shumë e rëndësishme, meqë Shqipëria është një vend në tranzicion, që politikanët e kësaj gjenerate ta kuptojnë se ajo që bëjnë po e ndryshon përgjithnjë vendin dhe se ata duhet ta ndryshojnë vendin për mirë. Prandaj, reformat që po ndodhin aktualisht, nuk janë apo nuk duhet të jenë reforma për një apo dy qeveri, por duhet të jenë reforma për gjithë gjeneratën, madje edhe më shumë. Ne, së bashku me ambasadorë të tjerë europianë dhe me gjithë kolegët e tjerë këtu në Tiranë, po përpiqemi sa mundemi të ndihmojmë për krijimin e një mjedisi ku të jetë e qartë se cilat janë reformat më të rëndësishme, veçanërisht çfarë pret BE-ja nga Shqipëria, në mënyrë që të nisë negociatat në të ardhmen, por, gjithashtu, edhe se çfarë mendohet se sjell ndryshim të vërtetë në shoqëri dhe në shtet: si ndërtimi i institucioneve dhe krijimi i një kulture politike ku njerëzit flasin dhe e dëgjojnë njëri-tjetrin, si dhe përpiqen të gjejnë zgjidhjen më të mirë, jo për interesin e tyre personal apo për interesin e partisë së tyre, por për interesat e vendit. Jam e interesuar për atë çka do të bëjmë më pas. Kjo, në njëfarë mënyre, është logjike, sepse ne në Delegacionin e BE-së shohim drejt së ardhmes, shohim se si të zgjidhim problemet që çojnë drejt bërjes së Shqipërisë një vend konkurrues në gjithë tregun e BE-së.

Një tjetër protestë u organizua këtë javë nga opozita teksa ju bënit thirrje për paqe. Si i perceptoni protesta të tilla?

Protestat dhe demonstratat paqësore janë një e drejtë demokratike e qytetarëve dhe, rrjedhimisht, tërësisht të pranueshme. Ajo çka është e papranueshme është dhuna, prandaj gjithë komuniteti ndërkombëtar bëri thirrje për demonstrata paqësore. Dhuna dëmton gjithë vendin dhe nuk ka argument që të mund ta legjitimojë destabilizimin. Nuk ka nevojë për këtë. Në një demokraci nuk fiton në rrugë, por në zgjedhje. Mosmarrëveshjet dhe diskutimet politike duhet të ndodhin në institucionet demokratike.

Si reagoni ndaj perceptimit se Shqipëria është një vend shumë i korruptuar?

Kjo është një ndër gjërat që po e luftojmë çdo ditë. Është e vështirë për mua të dëshmoj nga brenda, sepse unë nuk jam qytetare shqiptare, ndaj personalisht nuk kam qenë në një situatë të tillë. Por ajo çka dëgjoj nga njerëzit, është se në parim juve ju duhet të paguani dyfish, në fillim paguani taksat dhe pastaj ju duhet të paguani pak a shumë për shërbimet që duhet t’ju ofrohen, që nga ndihma e mjekut, dokumentet e pronave apo, fatkeqësisht, në gjykata. Por nuk më pëlqen të përgjithësoj dhe jam absolutisht e bindur se ka shumë njerëz të ndershëm që punojnë si duhet. Fatkeqësisht, ka edhe “mollë të kalbura” që i shkaktojnë këto ndjenja dhe këtë perceptim dhe ndoshta, në një shkallë të madhe, është realiteti që duhet të paguani për të marrë të drejtat tuaja. Kjo nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë. Ju paguani taksa si qytetarë. Prandaj, këto të drejta duhet të jenë në dispozicionin tuaj. Unë gjithnjë them se korrupsioni është një transaksion. Është dikush që dëshiron të marrë ryshfet dhe dikush që jep ryshfet. E di që ndonjëherë mund të ngjajë naive, por një pjesë e mirë e zgjidhjes së këtij problemi është ndryshimi i mendësisë së njerëzve: mos jepni ryshfet, mos paguani për shërbime që duhet t’i merrni; denonconi korrupsionin, luftojeni korrupsionin; mos lejoni që kjo kulturë pandëshkueshmërie të vazhdojë. Ky është një ndër mesazhet kryesore që ne po përpiqemi të japim. I vetmi sovran në një shtet demokratik është qytetari. Prandaj, është qytetari që ka pushtetin për të ndryshuar, jo vetëm në zgjedhje, por edhe në jetën e përditshme. Ndaj, duhet të punojmë për idenë se njerëzit kanë pushtetin për t’i ndryshuar vetë gjërat. Ndryshimi nis gjithnjë nga ju, gjithnjë e kam besuar këtë. E di që ky është një proces. Personalisht besoj se është shumë e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë se nuk ka të paprekshëm, çka do të thotë që prokuroria dhe sistemi gjyqësor duhet të jenë të aftë të ndjekin zyrtarë të nivelit shumë të lartë apo njerëz që kanë abuzuar me pushtetin që u është besuar. Kur qytetarët ta kuptojnë se ligji është i barabartë për të gjithë, jam e bindur se do të marrin më shumë guxim për të ndryshuar sjellje. Shpresoj të jemi shumë pranë këtij momenti. Çdo ditë mund ta ndihmoni veten dhe të tjerët për ta ndryshuar këtë situatë. Kam pasur rastin të takoj njerëz në rrugë, në treg apo në kishë. Ata na janë lutur të mos heqim dorë dhe të vazhdojmë reformat. Është shumë interesante ta dëgjosh këtë. Unë nuk do të heq dorë, heqja dorë nuk është në përshkrimin e punës sime. Por nuk varet nga të huajt, shqiptarët nuk duhet të heqin dorë. Ky është vendi juaj. Ju nuk duhet të hiqni dorë kurrë, derisa të keni një demokraci funksionale në të mirë të të gjithë qytetarëve. Në këtë kuptim, miratimi i të ashtuquajturit ligj për dekriminalizimin është një zhvillim shumë i mirëpritur për Shqipërinë dhe qytetarët e saj dhe ne e përgëzojmë mënyrën bashkëpunuese me të cilën u arrit.

Meqë po flasim për “heqje dorë”, shumë të rinj shqiptarë shkojnë me studime jashtë dhe “harrojnë” të kthehen…

Kemi diskutuar shumë për këtë. Personalisht nuk mendoj se ka ndonjë gjë të gabuar që të rinjtë të jenë shumë kureshtarë dhe të përpiqen të shohin botën. Mendoj se është e mrekullueshme kur gjithashtu kthehen në atdhe. Sepse ju keni nevojë për njerëz të rinj, të freskët, inteligjentë, të arsimuar dhe punëtorë për t’i ndryshuar gjërat. Unë vetë e kam lënë vendin tim për të punuar në Holandë dhe pastaj për të studiuar në Shtetet e Bashkuara. Në Harvard, gjysma e studentëve ishin të huaj. Dhe kjo është e mrekullueshme. Por më pas unë doja të kthehesha. Besoj se të gjithë e duan vendin e tyre. Aty janë miqtë, është familja. Aty janë kujtimet, peizazhet, ngjyrat që njeh që nga fëmijëria. Për mua ky kujtim ka shumë vlerë. Ja pse gjërat duhet të ndryshojnë në atë pikë që ata të duan të kthehen. Mund të them se është gjë shumë e mirë që të rinjtë në Shqipëri kanë mundësi tani të bëhen pjesë e Programit Erasmus Plus, në mënyrë që të shkojnë jashtë dhe të arsimohen. Unë, personalisht, takohem rregullisht me një grup të madh njerëzish që kanë studiuar jashtë dhe janë kthyer. Ata janë shumë të zgjuar, shumë interesantë dhe të hapur. Më duhet t’ju them se kam mësuar më shumë nga ata sesa nga përfaqësuesit e zakonshëm të shoqërisë civile. Ndaj, ka njerëz që janë individualisht shumë të përgatitur. Ndaj, ajo që duhet tani, është që gjithë këta individë të krijojnë, në njëfarë mënyre, një masë që do të kërkojë ndryshimin. “Të kërkojnë” në kuptimin e vërtetë të fjalës. Por duhet të jemi të drejtë me Shqipërinë. Unë e them gjithnjë se në 25 vitet e fundit, Shqipërisë iu desh të rrokte një shekull, sepse nëse vendet e tjera kanë pasur një shekull kohë lidhur me modernizimin, etj., për shkak të regjimit të tmerrshëm që Shqipëria pati pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe për shkak të historisë së mëparshme, ju keni humbur shumë prej kohërave të modernizimit. Ndaj, ju është dashur ta rrokni të gjithë këtë dhe kjo nuk është e lehtë. Por ju ia dolët. Shqipëria është anëtare e NATO-s, është kandidate në BE. Ka ende shumë për të bërë, ju mund ta shihni se ka një lëvizje të thellë përpara, por nuk mjafton. Unë besoj se Shqipëria ndodhet tani në një udhëkryq. Për një numër arsyesh, besoj se reforma gjyqësore është udhëkryqi ku ndodhet Shqipëria. Ne jemi shumë të kënaqur që Komisioni i Venecias dha një opinion kaq pozitiv për paketën e reformës në drejtësi. Të gjitha palët kanë rënë dakord, madje edhe me shkrim, se opinioni i Komisionit të Venecias do të respektohet. Vetë Komisioni e ka hartuar opinionin e tij në bazë të të gjitha dokumenteve të paraqitura, gjë që gjithashtu konfirmon natyrën gjithëpërfshirëse dhe legjitimitetin e këtij procesi. Tani angazhimet duhet të respektohen nga të gjitha palët. Kjo është reforma më e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë në BE dhe unë jam besimplotë se të gjithë njerëzit përgjegjës, si nga mazhoranca edhe nga opozita, por edhe ata që janë pjesë e këtij debati si profesionistë të sistemit, e kuptojnë një gjë të tillë. Shpresoj shumë që Shqipëria do ta përmbushë këtë kriter themelor të vendosur nga BE-ja.

Si i perceptoni përpjekjet e qeverisë shqiptare për të luftuar korrupsionin dhe në veçanti në fushën e biznesit?

Ne po diskutojmë shumë me bizneset. Më së shumti me investitorë ndërkombëtarë, më duhet të them. Ngase pjesë e punës sonë është gjithashtu mbrojtja e interesave të BE-së. Ajo që na thonë është shumë interesante. Investitorët ndërkombëtarë na thonë se nëse taksat janë 10 ose 15 për qind, nuk ka shumë rëndësi. Ajo që ka rëndësi është parashikimi. Kjo konsiston në dy gjëra: së pari, një kuadër ligjor i qëndrueshëm dhe së dyti, një sistem gjyqësor funksional. Sepse nëse i njohin rregullat e lojës, e dinë se ligjet dhe rregulloret nuk ndryshojnë çdo javë dhe nëse e dinë se po të kenë një problem gjykatat do të jenë të drejta, për ta nuk ka rëndësi se sa të larta janë taksat. Ka shumë hapësirë për investime të huaja në Shqipëri. Por njerëzit duan ta ndiejnë se investimet e tyre janë të sigurta, jo vetëm nga pikëpamja e biznesit, por, e para dhe më kryesorja, nga pikëpamja ligjore. Kjo është një pengesë e madhe për më shumë investime në Shqipëri. Kur flitet për korrupsion, mendoj se ka ardhur koha të gjendet një ilaç për këtë, sepse Shqipëria nuk do të ketë mundësi të zhvillohet më tej nëse nuk çlirohet nga kjo sëmundje. Nëse Shqipëria dëshiron vërtet seriozisht që në vend të hyjnë më shumë para, njerëz seriozë dhe investime serioze, këta njerëz duan kushte serioze. Ky është kyçi.

Doni të thoni se për korrupsionin po troket momenti “mjaft më”?

Ashtu mendoj. Pas 25 vjetësh tranzicion, është vërtet “mjaft më”. Duhet ta ngremë Shqipërinë në një nivel ku të jetë gati për nisjen e negociatave. Kjo do të jetë një epokë tjetër e tranzicionit.

Çfarë duhet të presë Shqipëria në vitin 2016?

Unë nuk pres kurrë asgjë. Unë punoj për gjithçka. Ne do të punojmë fort për një reformë të thellë gjyqësore, së pari dhe më kryesorja, por edhe për reforma të tjera. Ka edhe çështje të tjera që janë urgjente. Mendoj se duhet të kemi një grup pune për bujqësinë dhe ushqimin në përgjithësi. Sipas mendimit tim, duhet të punojmë për këtë. Shqipëria ofron ushqim shumë të mirë, por duhet të përmbushë kriteret specifike për të arritur standardizimin si në pjesën tjetër të Europës. Ndaj, ka një numër gjërash për të bërë në sektorin e bujqësisë/ushqimit. Unë besoj fort tek ushqimi dhe mendoj vërtet se ju mund të keni një biznes të mirë në këtë fushë. Gjithashtu, duhet të investojmë më shumë në arsim. Vitin tjetër ne do të investojmë rreth 30 milionë euro për punësimin, duke investuar më së shumti në arsimin profesional dhe në krijimin e rrethanave që lidhen me tregun e punës, në mënyrë që këta njerëz të mund të punësohen. Gjithashtu, duhet bërë shumë në sektorin e artit/kulturës. Unë jam e pasionuar pas artit. Duhet të gjejmë mënyra për ta ndihmuar Shqipërinë të ruajë trashëgiminë e saj të jashtëzakonshme kulturore. Unë kam vizituar Antigonenë, Butrintin, Apoloninë. Janë të mahnitshme. Kjo është diçka për të cilën do të më pëlqente të ndihmoja. Nga ana tjetër, ka një projekt më afatgjatë – axhenda e ndërlidhjes që ka lidhje me rrugët, autostradat, mjetet financiare, mallrat, transportin dhe shkëmbimin e njerëzve jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin. Por qendrore është reforma e gjyqësorit, sepse ka një rreth vicioz kur vjen puna te krimi, korrupsioni, mangësi në qeverisjeje, ndaj ne duhet ta ndërpresim këtë rreth. Dhe mënyra më e mirë për ta ndërprerë këtë rreth është përmes reformës në gjyqësor.

Cilën konsideroni si arritjen tuaj më të rëndësishme gjatë më shumë se një viti në postin e ambasadores së BE-së?

Thjesht mundohem të bëj punën time sa më mirë të mundem. Por ndoshta kam një avantazh të vogël. Në njëfarë mënyre, në përvojën e jetës sime, e kam kaluar të gjithë këtë. E kam parë gjithë procesin e integrimit nga çdo kënd dhe e di çfarë nevojitet dhe çfarë lloj mirëkuptimi, guximi dhe punë duhet për të ndryshuar. Por unë di gjithashtu, se ndryshimi është i mundur dhe mendoj se kjo është pasuria më e madhe. Bëhuni të ndërgjegjshëm se pengesat janë vërtet të përkohshme dhe se gjërat në fund do të ecin përpara. Do të doja që delegacioni ta ndihmonte Shqipërinë që ecja të bëhet më e shpejtë dhe shumë solide, sepse mendoj se është e rëndësishme që të shohim gabimet që kanë bërë vendet e tjera me qëllim që të mos i përsërisim ato. Do të shohim. Mendoj se po bëjmë një punë të jashtëzakonshme. Shpresoj që njerëzit ta shohin këtë. Ajo që ne bëjmë nuk është thjesht një punë, sepse ne po përpiqemi ta ndihmojmë shoqërinë të arrijë disa standarde të caktuara dhe kjo është shumë më shumë se punë. Ne kujdesemi vërtet.

Deri në çfarë shkalle mirëkuptoheni me politikanët shqiptarë?

Kjo është diçka shumë interesante në Shqipëri. Kam mësuar vitin e kaluar për këtë perceptimin se gjithçka varet apo bazohet te marrëdhëniet mes disa njerëzve. Por puna jonë është të konsolidojmë institucionet që ato të funksionojnë si duhet. Sigurisht, është e rëndësishme se çfarë lloj njerëzish ka në institucione, por njerëzit shkojnë e vijnë, diplomatët e huaj shkojnë e vijnë, politikanët shqiptarë shkojnë e vijnë – vetëm institucionet qëndrojnë. Ky duhet të jetë synimi ynë i përbashkët, të konsolidojmë institucionet funksionale. Si shkoj me politikanët? Besoj se mirë, kjo ka lidhje me punën, nuk është marrëdhënie private. Më pëlqen e vërteta dhe mendoj se e vërteta është politika më e mirë që mund të kesh. Dhe mendoj se duke thënë të vërtetën, ndihmon ndryshimin. Unë e them të vërtetën me synimet më të mira. Të jesh në krye të delegacionit të BE-së është privilegj, sepse është një pozicion nga ku mund ta ndihmojmë vërtet një vend të zhvillohet, dhe unë mundohem të jem e drejtë dhe serioze në atë çka unë dhe delegacioni bëjmë.

Si mendoni t’u drejtoheni shqiptarëve në vitin 2016? A mund të na zbuloni diçka nga kjo strategji?

Ajo që mendoj se nuk e kemi bërë sa duhet në të shkuarën është të folurit me shqiptarët. Ka pasur shumë komunikim në qendër të Tiranës. Por ambicia ime personale është të dal në terren dhe gjithashtu të gjej komunikues. Do të më pëlqente të shkoja te njerëzit, fëmijët, studentët, të moshuarit dhe kushdo tjetër. Mendoj se niveli vendor nuk ka qenë sa duhet në fokusin tonë, ndaj duhet të punojmë më fort për këtë. Mendoj se për fazën tjetër të integrimit europian në Shqipëri niveli vendor do të jetë shumë i rëndësishëm. Aty është jeta. Plani ynë këtu është të mundohemi të jemi më të pranishëm në nivelin vendor, sepse aty janë njerëzit. Mendoj se nuk mjafton përdorimi i masmedias. Lidhur me këtë, edhe disa mbledhje të hapura me njerëzit nëpër komunitete do të jenë shumë të rëndësishme. Po marrim gjithnjë e më shumë letra nga njerëzit. Ata na kërkojnë ndihmë. Si delegacion i BE-së ne nuk mund të trajtojmë raste individuale, por mund të bisedojmë me institucionet dhe të përcjellim problemet thelbësore të njerëzve.

Nga këndvështrimi juaj personal, si ju duket kjo periudhë kohore në Shqipëri?

Ka qenë një periudhë kohore e mbushur me punë. Jam munduar të kursej aq sa kam mundur kohë për familjen time. Nuk ka mjaftuar. Por ishte shumë e rëndësishme për mua të kisha një periudhë heshtjeje në fillim për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Jam munduar të udhëtoj nëpër Shqipëri. Jam përpjekur të shoh sa më shumë. Isha shumë e lumtur me koncertin tonë të 9 majit në Butrint. Do të doja të bëja veprimtari të ngjashme në mbarë vendin. Më pëlqen të shkoj në tregun e fruta-zarzavateve, të shoh jetën e përditshme normale. Më pëlqen shumë të ec dhe të jem po ashtu një qytetare normale. Unë jam mesdhetare, ndaj jam shumë e lumtur që mund të jem sërish në këtë lloj klime. Përgjithësisht, ka qenë një vit shumë i ngarkuar për mua, por një vit i plotë.

Published by daily SHQIP on Dec. 19, 2015

Advertisements